Shtimi i popullsisë për shkak të sezonit veror dhe kthimit të emigrantëve në atdhe për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre nuk është përkthyer në rritjen e fuqisë blerëse në tregun e fruta – perimeve në Durrës.

Tregtarët pranojnë se ka pasur pak më shumë shitje gjatë muajit gusht, por sërish nuk janë në nivelet e vitit të kaluar apo edhe dy viteve më parë.

Megjithëse tezgat janë plot me fruta dhe perime të stinës dhe në treg nuk mungojnë as turistët e huaj fuqia blerëse e konsumatorëve nuk është ajo që do të dëshironin tregtarët.

Sipas tyre disa janë arsyet, por më kryesorja mbetet rritja e ­çmimeve të produkteve, gati 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, gjë që e step popullsinë vendase dhe e bën të jetë më e kursyer në blerjet e përditshme.

Për shkak të çmimeve të larta dhe pagave e pensioneve të ulta, konsumatori vendas ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse. Ndërkohë që kthimi i emigrantëve në atdhe për një periudhë të shkurtër kohore nuk reflektohet në rritjen e fuqisë blerëse për shumë kohë.

Tregtarët e konsiderojnë këtë vit më të dështuarin përsa i përket prodhimit dhe kjo sipas tyre është reflektuar me rritjen e ndjeshme të çmimit të frutave dhe perimeve të stinës. Rritja e çmimeve nuk ka sjellë më shumë të ardhura për xhepat e tregtarëve, sepse nga ana tjetër përballen me stepjen e konsumatorëve për blerje në sasi të mëdha.

Kur bëjnë krahasimin me vitin e kaluar, tregtarët shprehen se 2025 rezulton më keq përsa i përket fitimeve, pasi largimi i një pjese të konsiderueshme të popullsisë në emigracion ka rrudhur ndjeshëm fuqinë blerëse përgjatë gjithë vitit.

M.B.