Dy shtetas janë arrestuar nga Policia e Kukësit, pasi tentuan të kalonin kufirin me një automjet në të cilin kishin fshehur  një sasi lënde narkotike.

Blutë kanë sekuestruar doza kanabisi në formë çokollate dhe automjetin.

Njoftim i Policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Suzuki Vitara”, me drejtues shtetasin R. V. dhe pasagjer shtetasin M. C.

Gjatë kontrollitmnë automjet, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në kroskot, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. V. iu gjet një sasi lënde e dyshuar kanabis në formë çokollate. Lënda e dyshuar narkotike kanabis u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit R. V., 29 vjeç, dhe M. C., 31 vjeç, të dy banues në Gjermani, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.