Kandidatja për deputete në zgjedhjet e 11 majit, Viola Kapidani, përmes një postimi në rrjete sociale, ka denoncuar shpërthimin e ujërave të zeza, në rrugët e Durrësit.
“Është e papranueshme që një qytet si Durrësi, me histori, me turizëm dhe me mijëra banorë, të gdhihet sot i mbuluar nga shpërthimi i ujërave të zeza. Ky nuk është vetëm një skandal urbanistik, por një kërcënim direkt për shëndetin e qytetarëve, turizmin dhe imazhin e qytetit”,– shkruan ajo ndër të tjera.
Postimin e saj, Kapidani e shoqëron edhe me një video, ndërsa akuzon bashkinë e qytetit si përgjegjësja kryesore për situatën e krijuar në akset kryesore të kryeqytetit shqiptar të turizmit.
“Bashkia Durrës mban përgjegjësi të plotë për këtë situatë. Taksa paguhen, buxhete ndahen, por menaxhimi është në nivelin më skandaloz të mundshëm. Nuk mund të flitet për “turizëm elitar”, për “qytet evropian” apo “pasaportë europiane” kur rrugët dhe lagjet mbulohen nga fekalet, duke rrezikuar dhe shpërthmin e një epidemie. Durrësi sot është shembulli i një keqqeverisjeje të turpshme. Ky nuk është thjesht një problem teknik – është dështim politik dhe institucional”,– shkruan Kapidani.
Sipas saj, banorët e qytetit 3000-vjeçar meritojnë shërbime dhe jo propagandë.
“Mjaft me fasada e propagandë! Banorët e Durrësit meritojnë shërbime bazë, jo të përballen çdo ditë me neglizhencën dhe paaftësinë e Bashkisë”.





