Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të martën se Gjermania nuk do të mbështesë nismën e disa aleatëve perëndimorë për njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet muajin e ardhshëm.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin kanadez Mark Carney, Merz u shpreh se qëndrimi i Berlinit për këtë çështje mbetet i pandryshuar. Carney kishte njoftuar më herët se Kanadaja do të mbështesë njohjen e shtetit palestinez, duke iu bashkuar hapave të ngjashëm të Francës dhe Britanisë.

“Qeveria federale ka një qëndrim të qartë sa i përket njohjes së mundshme të shtetit të Palestinës,” tha Merz, duke shtuar: “Kanadaja është në dijeni të këtij pozicioni. Ne nuk do t’i bashkohemi kësaj iniciative, pasi nuk i shohim kushtet e nevojshme të përmbushura.”