Një pilot kroat i KFOR-it dhe e dashura e tij serbë janë arrestuar nga autoritetet në ishullin Vis. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi anëtar i Forcave Ajrore të Kroacisë dhe e dashura e tij akuzohen për spiunazh.

Dyshohet se piloti kroat i ka siguruar të dashurës së tij informacione konfidenciale, të cilat më pas ajo i ka përcjellë tek Lista Serbe. Të dy të dyshuarit u morën në pyetje të mërkurën, ndërsa pritet vendimi gjyqësor ndaj tyre.

Mediat kroate raportojnë se piloti ka qenë i angazhuar edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe dyshohet se i ka zbuluar partneres së tij detaje mbi lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe të komunitetit serb në veri të Kosovës, duke filluar nga fundi i vitit 2022.

Hetuesit po ashtu dyshojnë se informacionet përfshinin të dhëna sensitive lidhur me komunën e Zubin-Potokut, zonë e njohur për tensione, bllokada dhe përplasje mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës.

Çifti akuzohet gjithashtu për shkëmbim informacionesh lidhur me transferimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022 për sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut.