Një valë sulmesh nga pala ruse në kryeqytetin ukrainas, veçanërisht me raketa balistike, e përshkruar si një sulm masiv nga kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka vrarë të paktën tre persona dhe ka plagosur nëntë të tjerë, njoftoi komanda ushtarake e rajonit të Kievit.
“Sipas informacioneve fillestare nga fusha e operacioneve, numërohen tre të vdekur dhe nëntë të plagosur. Midis të vdekurve është edhe një fëmijë”, tha komanda ushtarake rajonale e Kievit.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan gjatë natës në Kiev, njoftoi më parë një korrespondent i AFP-së. Ai tha se pa një raketë që po rrëzohej dhe mbeturina që binin mbi qytet, dhe dëgjoi motorët e dronëve që po afroheshin.
Autoritetet raportuan dëme në të paktën tre zona të kryeqytetit ukrainas.
Komandanti i distriktit ushtarak, Timur Tkachenko, tha se pati një sulm me raketa balistike ruse, ku u përfshinë nga flakët një kopsht fëmijësh dhe një ndërtesë banimi.
Banorët u strehuan në stacionet e metrosë. Ndërkohë që kryeqyteti ukrainas dhe pjesa më e madhe e vendit ishin në gatishmëri për një sulm ajror.
Kompania hekurudhore ukrainase raportoi një sulm masiv nga Rusia, që shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në rajonin e Vinnicës, duke rezultuar në vonesa të trenave.
Dy vendet kanë vijuar të shkëmbejnë sulme në javët e fundit, pavarësisht aktivitetit intensiv diplomatik që synon t’i japë fund luftës, e cila shpërtheu me pushtimin ushtarak rus në shkurt 2022.
Ushtria ruse, e cila ka pushtuar rreth 20% të territorit ukrainas në lindje dhe jug, po përparon me shpejtësi në fushat e betejës në muajt e fundit, duke u përballur me njësi gjithnjë e më pak të pajisura të ushtrisë ukrainase.
Për herë të parë, të martën, komanda ushtarake ukrainase pranoi se trupat ruse po vepronin në rajonin e Dnipropetrovskit, ku ushtria ruse kishte njoftuar se kishte përparuar që nga korriku.





