Një ekzekutim i ftohtë i një ish-presidenti futbolli ka tronditur Turqinë, pasi ngjarja u regjistrua e gjitha nga kamerat e sigurisë në një lokal në periferi të Stambollit.
Viktima është Tuncay Meric, 49 vjeç, ish-president i klubit Alemdag Spor, i cili u qëllua për vdekje mbrëmjen e së mërkurës në zonën Çekmekoy. Pamjet e publikuara tregojnë autorin teksa afrohet qetësisht, nxjerr armën dhe e qëllon në kokë, duke shkaktuar panik mes klientëve të pranishëm.
Pas krimit, Policia nisi një operacion të gjerë për identifikimin e autorit. Ministri i Brendshëm, Ali Gerlikaya, bëri të ditur se i dyshuari kryesor është një 17-vjeçar që tentoi të arratisej drejt kufirit, por u kap në Edirne. Bashkë me të u ndalua edhe një 64-vjeçar që e kishte strehuar.
Një dëshmitar i rastit ka treguar për momentet e tmerrit: Gjithçka ndodhi papritur. Djali i ri nxori armën dhe e qëlloi pa thënë asnjë fjalë. Ne vrapuam për të shpëtuar, unë u hodha përtokë nga frika.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes, që ka shokuar opinionin publik dhe botën sportive në vend.





