Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje filmike nga aksioni i IKMT-së për shembjen me shpërthim të kontrolluar të resortit pa leje të ish-kryeinspektorit të Durrësit, Ardian Halili.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë shkruan: Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin “po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu”, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në Veri, Jug dhe Shqipërinë e Mesme, ku konkretisht në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit e i është dorëzuar drejtësisë edhe si ish-drejtues i inspektorëve të Durrësit.

Shumë prej jush këtu, kanë një të drejtë të madhe kur komentojnë, “Shumë mirë që po goditen këto shkelje, po për ata që i kanë lejuar duke mbyllur sytë këto shkelje çfarë masash do merren?!”, prandaj paketa e re e masave do të parashikojë ndëshkime edhe për “symbyllurit”.