Ikona e muzikës dhe artit italian, Gianni Morandi, ka zgjedhur bregdetin e Jugut të Shqipërisë për të kaluar pushimet.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, zhvilloi një takim me artistin italian në Plazhin e Dhërmiut, ku shprehu vlerësimin për bisedën miqësore me këngëtarin, i cili, me muzikën e tij, ka bërë epokë dhe ka kultivuar shijen muzikore të disa brezave shqiptarësh.
“Është fundi i gushtit, këtu në Himarë, në Dhërmi. Vijnë vizitojnë, vijnë për pushime mijëra italianë, e sot kemi kënaqësinë në këto ditë që të kemi në Dhërmi për pushime, të madhin, legjendën, Gianni Morandi. Ka ardhur para disa ditësh këtu, po pushon dhe është shumë i kënaqur me kushtet që ofron Shqipëria, me kushtet që ofron Himara, Dhërmiu”, tha Tavo.
Morandi tha se mes shqiptarëve dhe italianëve ka një lidhje të fortë.
“Mes shqiptarëve dhe italianëve ka një lidhje shumë të fortë. Ka një lidhje muzikore, pasi janë shumë të pasionuar pas muzikës që kanë dëgjuar në vitet ’60, ’70 dhe ’80. Shumë miq të mi italianë vijnë këtu. Një mik shumë i mirë i imi, inxhinier në Bolonjë, më tha: Shko për pushime në Shqipëri, sepse është një vend shumë i bukur”, tha Morandi.
Artisti u shpreh i impresionuar nga bukuria e bregdetit shqiptar dhe nga larmia e peizazhit që ndërthur detin me malet.
“Besoj se do të rikthehem edhe herë të tjera, siç do të rikthehen edhe shumë italianë këtu”, shtoi Morandi.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë, Morandi ka vizituar Tiranën, Palasën, Himarën, Dhërmiun dhe Sarandën.





