Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në kufirin polako-bjellorus. Nën hijen e luftës në Ukrainë, ajo paralajmëroi për sulme hibride dhe foli për solidaritet evropian.
“Polonia po përballet me sulme hibride nga përtej kufirit. Ne qëndrojmë në solidaritet me shtetin tonë anëtar. Në buxhetin e ri të BE-së, ne kemi propozuar trefishimin e fondeve për menaxhimin e kufijve.
Ne të gjithë jemi përgjegjës për kufijtë e jashtëm të Evropës”, theksoi ajo në postimet e saj në X.
Ursula von der Leyen postoi një video të gardhit në kufirin polako-bjellorus teksa theksoi se mesazhi është i qartë, një Poloni e fortë dhe një Evropë e fortë, ruajnë kufijtë dhe mbrojën të gjithë evropianët.
“Dhe është një mesazh të cilit Bjellorusia dhe aktorë të tjerë në rajon po i kushtojnë vëmendje”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian, e cila shoqërohej nga kryeministri polak Donald Tusk.





