Papa Leo XIV bëri sot thirrje për t’i dhënë fund “pandemisë së armëve”, duke shprehur keqardhjen e tij për “fëmijët e panumërt që vriten dhe plagosen” në të gjithë botën, gjatë lutjes javore në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

“Në lutjet tona përfshijmë fëmijët e panumërt që vriten dhe plagosen çdo ditë në mbarë botën. Le t’i lutemi Zotit që t’i japë fund pandemisë së armëve, të mëdha e të vogla, që infekton botën tonë”, – tha ai në një deklaratë në anglisht.

Papa amerikan i bëri thirrje gjithashtu “askujt të mos i nënshtrohet indiferencës” përballë luftës në Ukrainë, tre ditë pas një sulmi rus në Kiev që vrau të paktën 25 persona, përfshirë katër fëmijë, duke përsëritur “thirrjen e tij këmbëngulëse për një armëpushim të menjëhershëm dhe një angazhim serioz për dialog”.

“Është koha që ata që janë përgjegjës të heqin dorë nga logjika e armëve dhe të angazhohen në rrugën e negociatave dhe paqes, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.

Leo IV iu referua gjithashtu sulmit të armatosur që ndodhi të mërkurën e kaluar gjatë një shërbese në një shkollë në Minesota, SHBA, ku u vranë dy fëmijë.