Të paktën 11 punonjës të Kombeve të Bashkuara janë arrestuar nga rebelët Houthi në qytetet Sana’a dhe Hodeidah në Jemen, zona të kontrolluara nga grupi i lidhur me Iranin.
Lajmi u konfirmua sot nga i dërguari i OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg, i cili dënoi valën e re të arrestimeve arbitrare ndaj stafit të organizatës, si dhe hyrjet me forcë në zyrat e OKB-së dhe sekuestrimin e pronës së saj.
Më herët gjatë ditës, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) raportoi se një nga punonjësit e tij në Sana’a ishte arrestuar nga Houthit, duke shtuar se kishte shqetësime për arrestime të tjera edhe në rajone të tjera të vendit.
Sipas burimeve lokale, Houthit kanë bastisur zyrat e WFP dhe UNICEF në Sana’a, duke arrestuar shtatë punonjës të WFP-së dhe tre të UNICEF-it, të cilët më pas janë dërguar në një vend të panjohur.
Këto zhvillime ndodhën pak ditë pas një sulmi ajror izraelit në Sana’a, që vrau një nga zyrtarët kryesorë të Houthi-ve.
OKB-ja kishte raportuar që në janar se tetë punonjës të saj ishin arrestuar nga rebelët, ndërkohë që disa dhjetëra të tjerë nga organizata humanitare mbahen ende të ndaluar që prej qershorit 2024. Houthit i justifikuan këto arrestime me akuza për një rrjet “amerikano-izraelit spiunazhi” të maskuar si ndihmë humanitare – një pretendim që është hedhur poshtë kategorikisht nga OKB-ja.
Në qershor, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të ndaluarve dhe kishte shprehur tronditjen për vdekjen e një punonjësi të WFP-së gjatë ndalimit.
Jemeni ndodhet në një krizë të thellë humanitare, pas më shumë se 10 vitesh lufte civile, që e ka kthyer vendin në një nga zonat më të goditura nga uria dhe varfëria në botë. Për shkak të situatës, OKB-ja ka reduktuar ndjeshëm praninë dhe aktivitetet në disa zona të vendit.





