Nga BUJAR QESJA
Në qytetin e Durrësit, atje ku deti prek brigjet me një frymë të lashtë dhe njëkohësisht moderne, sot është hapur një faqe e re për arsimin privat: Shkolla e Mesme Jo Publike “Mihal Ekonomi”. Nuk është thjesht një nisje kalendarike mësimore, por fillim që mbart përmasat e një vizioni të gjatë, të menduar me kujdes dhe të realizuar me përkushtim.
Ky institucion mban emrin e një mësuesi të shquar, Mihal Ekonomi, i cili u nda nga jeta në fillimet e demokracisë, duke lënë pas kujtimin e një pedagogu të përkushtuar, një “pishtar dijeje”, që i fali nxënësve jo vetëm njohuri, por edhe dinjitet. E sot, emri i tij nderohet duke u shndërruar në emblemë të përhershme, në një thesar që frymëzon nxënës e mësues drejt ekselencës.
Histori që nisi në vitin 2002
Shkolla u themelua në vitin 2002, kur ideja për arsim privat në Durrës ishte ende hap i guximshëm, një risi që kërkonte kurajo, vizion dhe vendosmëri. Pas më shumë se dy dekadash, ajo ka fituar emër të fortë e të respektuar jo vetëm në qytet, por edhe në mbarë qarkun. Çdo vit është rritur me hapa të sigurt, duke kombinuar seriozitetin akademik me hapësirat krijuese që i japin frymë shkollës si organizëm aktiv.
Ky shtator 2025 sjell moment të veçantë: proçesi mësimor nisi më herët se zakonisht, për të kolauduar përgatitjet e nxënësve. Një veprim që dëshmon për rigorozitetin dhe vizionin e drejtuesve të saj. Sepse Shkolla “Mihal Ekonomi” nuk njeh rastësira, por punon me plan, me qartësi, me përkushtim.
Elsa, Vasil dhe Enkelana trinomi i suksesit
Çdo institucion është aq i fortë sa janë njerëzit që e drejtojnë. Shkolla “Mihal Ekonomi” ka fatin të udhëhiqet nga një treshe e shquar: Elsa dhe Vasil Hila, administratorët, si dhe Enkelana Koço, drejtoresha didaktike.
Elsa Hila është zemra e kësaj shkolle. E diplomuar në gjuhë-letërsi, ajo ka dekada që e ushqen auditorin me dashurinë për librin dhe fjalën e bukur. Për nxënësit, ajo është shembull i mësueses së përkushtuar, që nuk dorëzohet para sfidave dhe që sheh tek çdo nxënës një fidan me potencial të jashtëzakonshëm. Për kolegët, është frymëzuese. Për prindërit, garanci sigurie se fëmijët e tyre po marrin arsimim serioz.
Vasil Hila, ndryshe nga Elsa, nuk qëndron në dritë, por në prapavijë, aty ku bëhet menaxhimi i rregullt, i detajuar dhe i pandërprerë. Është shtylla e logjistikës dhe e organizimit. Me përvojë të gjatë në drejtimin e sektorëve ekonomikë të qytetit, di të menaxhojë burimet, të vendosë qartësinë në proçes dhe t’i japë shkollës strukturë të fortë që nuk lë hapësirë për improvizime.
Enkelana Koço është pjesa e tretë e këtij trinomi. Ajo është ndër mësueset më të mira të ciklit të ulët në Durrës, pedagoge që shquhet për profesionalizëm, pasion dhe përkujdesje të veçantë ndaj nxënësve. Drejtimi i saj didaktik është themel i fortë për nivelin akademik të shkollës. Ka aftësinë të krijojë ura komunikimi mes nxënësve dhe mësuesve, të ndërtojë programe bashkëkohore dhe të sigurojë që çdo proces mësimor të jetë në përputhje me standardet më të larta.
Bashkë, këta tre njerëz formojnë një trekëndësh të artë: vizion, përkushtim dhe organizim. Dhe kjo është arsyeja pse Shkolla “Mihal Ekonomi” është autoritare dhe konkurruese.
Shkolla e kërkesave të larta
Në këtë institucion, fjala “kompromis” nuk ekziston. Nxënësit mësohen të jenë të përpiktë, të përgjegjshëm dhe të përgatitur. Jo vetëm në orët e mësimit, por edhe në jetën kulturore dhe artistike që organizohet gjatë vitit. Shfaqjet teatrale, koncertet, ekspozitat, aktivitetet sportive, janë pjesë e pandashme e jetës shkollore, sepse këtu synohet arsimim i plotë, ku formohet jo vetëm truri, por edhe shpirti.
Autoriteti i shkollës nuk është frikësues, por frymëzues. Është një lloj rregulli që i mëson nxënësit të përballen me botën reale, e cila nuk toleron përtacërinë dhe sipërfaqësinë. Ky është një model që synon ta bëjë rininë e qytetit më të fortë, më të kulturuar dhe më të ndërgjegjshme.
Një vit i ri, sfida të reja
Viti shkollor 2025–2026 pritet të sjellë jo vetëm vazhdimësi të traditës, por edhe risi. Konkurrenca mes institucioneve arsimore është e fortë, por Shkolla “Mihal Ekonomi” ka zgjedhur të mos frikësohet prej saj. Përkundrazi, e sheh konkurrencën si mundësi për të përmirësuar veten, për të vendosur standarde të reja, për të qenë gjithnjë një hap përpara.
Këtë vit, më shumë se kurrë, pritet një hapje e gjerë ndaj teknologjisë së informacionit, zhvillimeve bashkëkohore në metodologjinë e mësimdhënies dhe rritjes së aktivitetit ndërkombëtar. Kjo shkollë synon të formojë qytetarë evropianë, të aftë të përballen me sfidat e kohës, duke mos harruar rrënjët dhe traditën shqiptare.
Urimi i këtij fillimi
Në prag të këtij viti të ri, le të urojmë që Shkolla “Mihal Ekonomi” të mbetet gjithnjë pishtari i dijes në Durrës, një hapësirë ku nxënësit do të rriten me vlera, me dije dhe me dashuri për jetën. Le të jetë ky fillim frymëzim për të gjithë: për mësuesit që japin shpirtin në auditor, për prindërit që besojnë tek kjo shkollë dhe mbi të gjitha për nxënësit, që janë e ardhmja e qytetit dhe e vendit.
Çdo klasë që hapet sot është dritare drejt së ardhmes. Çdo fëmijë që frekuenton këtë shkollë është një premtim i ri. Dhe çdo hap i bërë këtu është një hap drejt një Shqipërie më të ditur, më të fortë dhe më të denjë.
Elsa Ekonomi, Vasil Hila dhe Enkelana Koça, si dhe kolektivit mësimor edukativ dhe të nxënësve gëzuar vitin e ri shkollor!





