Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe më shumë se 354000 të tjerë janë prekur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në shtetin verior indian të Punjabit.

Autoritetet i kanë shpallur të 23 distriktet e shtetit të prekura nga përmbytjet, pasi niveli i lumenjve dhe rezervuarëve u rrit në nivele gati të rrezikshme.

Rreth 20,000 njerëz janë evakuuar nga zonat e ulëta dhe të prekura nga përmbytjet, me qindra kampe ndihme të ngritura për të siguruar strehim dhe lehtësira thelbësore për familjet e prekura.

Duke i bërë thirrje vendit që të “mbështesë shtetin”, kreu i Punjabit, Bhagwant Mann, tha se këto ishin përmbytjet më të këqija që shteti kishte parë që nga viti 1988.

Punjabi shpesh quhet “shporta ushqimore” e Indisë dhe është një burim i madh për prodhimin bujqësor, veçanërisht të produkteve bazë si gruri dhe orizi.

Qeveria thotë se ka pasur dëme të mëdha në të mbjella në rreth 148,000 hektarë tokë bujqësore, e cila është zhytur nën ujë.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ujit në lumenjtë Sutlej, Beas dhe Ravi të shtetit në nivele të rrezikshme, duke vënë në rrezik qindra zona të ulëta. Gjithashtu, raportohet se shumë rezervuarë po i afrohen kapacitetit të plotë.

Njerëzit që jetojnë në brigjet e lumit Sutlej i thanë BBC-së se po mbajnë nën vëzhgim nivelet e ujit gjatë gjithë natës për të garantuar sigurinë e tyre.

Ekipe të shumta reagimi ndaj fatkeqësive, së bashku me ushtrinë indiane, forcat ajrore dhe marinën, po ndihmojnë në operacionet e shpëtimit. Rreth 35 helikopterë dhe më shumë se 100 anije janë vënë në shërbim.

Të martën, kryeministri Mann vizitoi me varkë distriktin e Ferozepur të goditur nga përmbytjet. Ai tha se situata ishte e zymtë dhe kërkoi fonde nga qeveria federale për t’u përballur me krizën.

Përtej kufirit me Indinë, përmbytjet kanë shkatërruar edhe provincën Punjab të Pakistanit, duke prekur rreth dy milionë njerëz gjatë disa javëve të fundit.