Një vit më parë, tërhiqni goglat e shorteut me shpresën se së shpejti do të futeshin në shtëpitë e reja dhe do të linin pas vitet e vështira të kaluara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Por kur ka kaluar plot një vit nga ato ditë të para të shtatorit 2024, qindra familje të Durrësit vijojnë të mbeten mes 4 rrugëve.

Bashkim Çika është njëri prej tyre. Çifti Çika janë të dy të sëmurë, por u duhet të mbijetojnë me 150 mijë lekë pension, ndërsa prej vitesh jetojnë me qira. Mosfutja në banesën e re dhe ndërprerja e bonusit prej dy vitesh, ia ka vështirësuar edhe më shumë jetën Bashkimit.

“Këta i dhanë goglat për t’u mbyllur gojën njerëzve, të mos flasin, por këta nuk kanë ndërmend me dhënë shtëpitë. Shtëpitë atje janë, ka dy vjet që nuk punohet tek ato. Unë kam 150 mijë lekë pension, vetëm drita dhe ujë paguaj dhe më ndihmojnë të tjerët, sepse vetë jam me dializë, kurse gruan e kam me kancer. Nuk ka më keq më, po kujt do t’i thuash. Nuk ka shtet, nuk ke ku ankohesh”,– thotë ai për “DurrësLajm”.

Në sitin e ri të rindërtimit në Spitallë, 996 apartamente të ndërtuara me fondet e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe presin banorët e rinj të tyre. Bashkimi thotë se përgjatë një viti përgjigjja zyrtare nga bashkia ka munguar.

“Asnjë lloj përgjigje nuk ka, përkundrazi vetëm mashtrime. Do e rregullojmë, do e rregullojmë, jemi duke punuar na thonë, ndërkohë ne shkojmë çdo javë dhe i kontrollojmë punimet, nuk ka asnjë duke punuar. Janë vetëm nja 3 roje që marrin rrogën kot”.

Për “DurrësLajm”, bashkia bën të ditur se shpërndarja e apartamenteve të sitit të Spitallës nuk është bërë, sepse aktualisht aty po instalohen matësat e energjisë elektrike nga OSHEE. Deri më tani nuk ka një afat zyrtar, se kur do të përfundojë ky proces.

Ndërkohë, Bashkimi i sëmurë ka vetëm një apel për institucionet shtetërore.

“Unë dua sa më shpejt të jepen çelësat e shtëpive, që të paktën të hyjmë të vdesim në shtëpinë tonë”.

M.B.