Një panoramë e tillë është mjaft e njohur për këdo që e ka parë qytetin e Durrësit nga lartësia e KodërVilës apo nga tarraca e ndonjë pallati shumëkatësh.
Depozitat e ujit janë kudo të pranishme në pjesën më të madhe të pallateve të qytetit bregdetar. Vendosja e tyre nisi shumë vite më parë, kur qyteti nuk furnizohej 24 orë me ujë, duke i detyruar qytetarët të blinin depozita 1000 litra për të krijuar rezervat e nevojshme të ujit për familjet e tyre. Ato përngjajnë me kërpurdhat pas shiut që mbijnë kudo duke zënë çdo hapësirë të lirë në tarracat e pallateve.
Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e një aksioni për heqjen e depozitave nga pallatet.
“Do të hiqen depozitat mbi pallate, mund të sjellin katastrofa”,- paralajmëroi kreu i ekzekutivit.
Por sa e mundur është kjo për një qytet, ku mendohet se numri i depozitave në pallate është rreth 50-60 mijë dhe qyteti furnizohet nga 4 deri në 24 orë me ujë?
Kryeqyteti shqiptar i turizmit sapo ka lënë pas sezonin veror, ku për hir të së vërtetës problematikat me furnizimin me ujë kanë qenë të pranishme në disa zona.
Vetëm vitin e ardhshëm, me implementimin e projektit të AFD-së do të ketë furnizim 24 orë me ujë, bëjnë të ditur burime nga SHRUKD.
Por edhe pse ka aktualisht zona që furniziohen me ujë 24 orë në ditë, qytetarët ngurojnë t’i heqin depozitat, pasi në raste avarish në rrjetin e furnizimit me ujë të qytetit, apo mos furnizimin e stacionit të Fushë Kuqes me energji elektrike do të mbeteshin pa një pikë ujë në rubinetet e çezmave të tyre.
Me ndërhyrjen që bashkia Durrës kreu në disa lagje të qytetit në pallate, të cilave ju rikonstruktuan tërësisht fasadat me qëllim eficiencën e energjisë u ndërhy edhe për heqjen e depozitave nga tarracat, pasi furnizimi me ujë do të bëhej me sistem të qendërzuar.
Por projekti nuk u realizua me sukses në të gjitha pallatet dhe prandaj lind pyetja sa e mundur është që në Durrës të nisë të zbatohet konkretisht ajo që kërkon kryeministri: Heqja e depozitave mbi pallate?!





