Partia e Lirisë në Durrës ka reaguar ashpër ndaj qeverisë dhe bashkisë, duke i akuzuar për mashtrim dhe braktisje të qytetarëve të prekur nga tërmeti i vitit 2019.
“Kanë kaluar gjashtë vite nga tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe një vit nga hedhja e goglave të shorteut, që duhej të hapte rrugën drejt strehimit për qindra familje në Durrës.
Sot denoncojmë me indinjatë mashtrimin e radhës të qeverisë dhe bashkisë, të cilat kanë përdorur lotarinë e banesave si një skemë propagandistike për të heshtur qytetarët, por jo për t’iu dhënë atyre strehimin e premtuar. Kjo ndodh sepse qeveria e kryeministrit Rama është e zënë me afera korruptive, me ministra e kryetarë bashkie në burg, me vjedhje dhe beton.
E fundit, por jo nga rëndësia, janë premtimet absurde për prodhimin e dronëve që do të eksportohen nga viti 2027. E vetmja gjë që ju “prodhoni” z. Kryeministër janë hajdutët Made in Partia Socialiste.
Ndërkohë, qindra familje në Durrës vijojnë të mbeten rrugëve, në mëshirë të fatit. Mes tyre ka pensionistë të sëmurë e të varfër që mbijetojnë me pensione qesharake, ndërsa prej dy vitesh është ndërprerë edhe bonusi i qirasë për të dëmtuarit e tërmetit. Ky është kulmi i padrejtësisë dhe i braktisjes shtetërore.
Në Spitallë, 996 apartamente të ndërtuara me fondet e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe presin bosh. Autoritetet lokale dhe qendrore justifikohen prej një viti me instalimin e matësve të OSHEE-së, por askush nuk jep afate dhe askush nuk mban përgjegjësi. Kjo është një tallje e hapur me qytetarët dhe një shkelje e dinjitetit të njerëzve që vuajtën pasojat e një fatkeqësie natyrore, për t’u përballur sot me pasojat e paaftësisë, indiferencës dhe mashtrimeve të qeverisë.
Partia e Lirisë denoncon me forcë këtë skandal dhe kërkon:
- Dorëzimin e menjëhershëm të çelësave të apartamenteve në Spitallë për familjet që kanë vite që presin.
- Rikthimin e menjëhershëm të bonusit të qirasë për ata që ende nuk kanë marrë strehimin e premtuar.
- Mbajtjen e përgjegjësive penale dhe politike për mashtrimet, vonesat dhe vuajtjet e shkaktuara mbi qytetarët.
Çdo ditë që kalon është një ditë tjetër mashtrimi, një ditë tjetër padrejtësie, një ditë tjetër turpi për këtë shtet që ka braktisur qytetarët e tij.
Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë Durrës mbetet dhe do të vazhdojë të jetë zëri dhe mbështetja e qytetarëve durrsakë.”





