I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i cili u shtrua mbrëmjen e djeshme me urgjencë në spital, po merr trajtim të specializuar në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Për shkak të statusit të tij të veçantë, Dumani po i nënshtrohet një sërë analizash specifike për të parë gjendjen e tij të plotë shëndetësore, pas problemeve që shfaqi me zemrën një ditë më parë.

Analizat e thelluara po kryhen me qëllim për të përjashtuar ndonjë tentativë kriminale në adresë të tij, sic mund të jetë një helmim i mundshëm, pasi për shkak të ngjarjeve që ka ekspozuar gjatë rrëfimeve si i penduar e kanë vënë atë në lupën e njerëzve të botës së krimit, duke shtuar ndjeshëm rrezikun për jetën e tij.

Nuredin Dumani u shoqërua mbrëmjen e djeshme nga Forcat Speciale të burgjeve. Ndërkohë, Urgjenca e QSUT është rrethuar nga forcat RENEA.

Dumani është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë gjatë viteve të fundit, i angazhuar në zbardhjen e shumë rasteve që lidhen me grupe të strukturuara kriminale dhe ngjarje të rënda në Shqipëri.

Deklaratat e tij kanë qenë thelbësore për SPAK-un në shpërbërjen e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale në vend.