Viti shkollor është në prag dhe bashkia Durrës po bën të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor dhe pikërisht në këtë kuadër po kryhet rinovimi i vijave të bardha dhe i të gjithë sinjalistikës rrugore pranë shkollave të qytetit.

Në disa postime në rrjete sociale, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako thekson se “këto masa synojnë të rrisin sigurinë e nxënësve, prindërve dhe komunitetit, duke garantuar një qarkullim më të rregullt e të sigurt.”

Po pikërisht këto masa që po merren në ambientet përreth shkollave të qytetit kanë shtyrë një banor të njësisë administrative Rrashbull, të na dërgojë pamjet filmike që mund t’i shihni në videon e mëposhtme.

Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj”, ku mbi 500 nxënësit e kësaj shkolle do të detyrohen të ecin në rrugë, sa herë shkojnë apo dalin nga ky institucion arsimor.

Aty nuk ka asnjë trotuar nga të dyja anët e rrugës, ndërsa vijat e bardha nuk ekzistojnë. Në momentin e parë që nxënësit vënë këmbën jashtë shkollës, ata ecin direkt në asfalt.

Ndërsa përshkruan gjendjen e rrugës, banori i Rrashbullit shkruan:

Eshtè e shkateruar komplet nga mulliri bullgarit deri tek shkolla ,plus qè eshte pa trotuare pa ndricim aty ecin kafshet aty ecin makinat njerezit dhe nxenesit e shkolles ,dmth Kandahar”.

Shkolla 9-vjeçare u rindërtua disa vite më parë, pasi ajo si dhe shumë institucione arsimore në bashkisë Durrës mbetën të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“530 nxënësit e shkollës “Vëllezërit Haradinaj”, sot arsimohen në një shkollë me kushte të njëjta me nxënësit e çdo vendi evropian”, shprehej kryeministri Rama në nëntor të vitit 2020, teksa vizitonte ambientet e kësaj shkolle. “Sfida juaj është ta mirëmbani”, iu drejtua ai nxënësve e mësuesve.

Po ndërsa shkolla ofron standarte evropiane brenda ambienteve të saj, siç shprehej kryeministri, sfida e vërtetë e nxënësve të saj nis sapo dalin nga dera e saj, sepse përballen me rrezikun për jetën, duke nisur nga më të vegjlit e klasës së parë e deri tek më të rriturit e klasave të nënta.

Në foto: Vijat e bardha tek shkolla në Kullë

Ndërkohë, burime nga Ndërmarrja “Rruga” bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se po vazhdon puna për vijëzimet e akseve afër shkollave dhe aktualisht është duke u punuar në zonën e Shënavlashit edhe në Kullë dhe po gjatë ditës së sotme pritet të vendosen vijat e bardha edhe në Rrashbull.

M.B.