Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e punës për muajin gusht 2025, duke evidentuar qindra operacione, dhjetëra arrestime, sekuestrime droge, armësh dhe pasurish me vlerë miliona eurosh. Forcat e rendit kanë qenë të pranishme 24/7 në terren, duke garantuar sigurinë publike në plazhe, qendra turistike dhe qytete, si dhe në menaxhimin e emergjencave nga zjarret.

Vetëm gjatë gushtit janë finalizuar 90 operacione policore, ku janë arrestuar 664 persona, mes tyre 61 në kërkim.

Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë zhvilluar 22 faza të operacioneve “The Wanted” dhe “Operacionalja”, duke çuar në kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në fushën e narkotikëve, policia ka asgjësuar 23 mijë bimë dhe fidanë kanabisi, ka sekuestruar 340 kg cannabis, 2 kg kokainë dhe qindra doza droge. Po ashtu janë sekuestruar 35 armë zjarri, 8 armë gjahu, 3 granata dhe dhjetëra armë të ftohta.

Një ndër rezultatet më të mëdha është sekuestrimi i pasurive të paluajtshme dhe të ardhurave të paligjshme me një vlerë prej 26.5 milionë euro, si dhe mbi 6.2 milionë euro cash.

Policia ka zbardhur 10 ngjarje kriminale të rënda dhe ka parandaluar 6 tentativa për krime me armë, si dhe 9 konflikte që rrezikonin të përshkallëzoheshin.

Në kuadër të sigurisë rrugore, janë arrestuar 244 drejtues mjetesh, kryesisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa patentë, ndërsa janë pezulluar 232 leje drejtimi dhe janë vendosur mbi 112 mijë masa administrative.

Policia Kufitare ka goditur 42 raste kalimi të paligjshëm të kufirit, 6 tentativa me dokumente false, 12 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 9 raste të trafikimit të drogës.

Gjithashtu, gjatë gushtit janë dhënë ndihma për 115 shtetas në rrezik në det, liqene dhe në tokë, ndërsa janë gjetur dhe kthyer pranë familjeve 8 fëmijë të humbur gjatë pushimeve.