Ashtu siç patën paralajmëruar një ditë më parë, mesdita e kësaj të marteje i gjeti në protestë.
Prindërit e rreth 180 nxënësve të shkollës “Met Hasa” kërkuan sot rikthimin e transportit me autobus drejt shkollës pritëse “Neim Babameto”, ku fëmijët e tyre studiojnë në turnin e pasdites, që nga muaji shkurt i këtij viti
Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa” është në proces rindërtimi me fondet e bashkisë dhë deri në përfundim të vitit të kaluar shkollor, në dispozicion të nxënësve ishin çdo ditë 3 autobusë që i transportonin.
Përgjigja e ZVA-së, që fëmijët të përdorin urbanin e linjës Durrës-Porto Romano, i ka zemëruar prindërit, pasi për ta ky lloj transporti nuk është i sigurt.
“Kam 3 fëmijë në shkollë, paguaj abone, paguaj kontribute. Mua nuk më del leverdia. Jam në punë, nuk arrij dot t’i përcjell dhe as t’i marr. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit të vërë dorën në zemër”.
“Edhe sikur ta kemi gjendjen ekonomike, është puna e punës. Ne jemi prindër që duhet të mbajmë një familje. E kam vajzën në klasë të dytë. Po e hypa në urban, duhet të zbresë në Spitallë. Kush e pret atje, apo të ma shtypë ndonjë makinë? Nuk është zgjidhje urbani.”
“Për momentin po mbajmë fëmijët në shtëpi. Kemi bërë një ankesë për kërkesën që solli drejtoresha e ZVA-së dhe po presim përgjigjen e saj. Nëse ajo nuk kthen përgjigje siç duhet, do shkojmë tek instancat më lart”.
Protestën e prindërve të nxënësve dhe vendimin e tyre për të mos i dërguar në shkollë në këto dy ditë të para, e konsideron të drejtë edhe mësuesi i kësaj shkolle, Pjetër Biba.
“Firma që transportoi nxënësit nga muaji shkurt deri në qershor nuk ka marrë lekët, s’është paguar. Kjo është arsyeja pse nuk sollën autobusë tani. Urbani është i pasigurtë për ne të rriturit, jo më për fëmijët e vegjël, sepse ai mund të ketë maksimumi 15-20 vende, kurse fëmijët janë shumë më tepër”.
Prindërit janë të vendosur të mos t’i dërgojnë fëmijët e tyre me urbanë dhe madje nuk do t’i dërgojnë edhe në shkollë, derisa kjo problematikë të marrë zgjidhje. Ata kërcënojnë me bllokim të rrugës në ditët në vijim.
“Do të bllokojmë rrugën, derisa të bëhet zgjidhja. Pse vjet e kishim autobusin, tani na e hoqën? Nëse ne nuk e përfitojmë me ligj, pse duhet ta përfitonim vjet”.
M.B.





