Pas udhëzimeve që mori në SHBA, kreu i SPAK, Altin Dumani, duket se është vënë në lëvizje menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri. SPAK bën me dije se sot ai ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mal të Zi, me fokus goditjen e rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës. Shumë porte në Mal të Zi janë kthyer në baza të rrjeteve shqiptare, në bashkëpunim me ato malazeze, dhe sinjalet janë se porositë kanë ardhur nga SHBA.
“Drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani, u takua sot në Podgoricë me Kryeprokurorin Special të Malit të Zi, z. Vladimir Novović. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, me theks të veçantë në zbulimin dhe ndjekjen penale të autorëve të trafikut të lëndëve narkotike, në të dy vendet” thekson SPAK.
Një nga rastet më të bujshme që është zbuluar për një bashkëpunim mes grupeve shqiptare dhe atyre malazeze është ai i vitit 2022.
Një sasi e madhe kokaine, e cila kishte mbërritur nga vendet e Amerikës Latine dhe ishte kapur në Portin e Tivarit në Mal të Zi, zbuloi një laborator kokaine në fshatin Frakull i Madh të Fierit.
Kokaina, e cila ishte e fshehur në 400 kg thasë me pleh kimik dhe u kap në muajin korrik të atij viti, ishte mbajtur nën vëzhgim për të zbuluar destinacionin përfundimtar.
Operacioni, i cili është zhvilluar nga DEA amerikane, në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze, ishte mbajtur i fshehtë. Janë vëzhguar thasët me pleh kimik ku ishte fshehur kokaina, të cilat janë marrë nga Porti i Tivarit dhe janë dërguar në fshatin Frakull i Madh në Fier. Më pas u arrestuan afro 15 persona.
Siç duket, mund të kemi një tjetër operacion në horizont.





