Pas ngjarjes së rëndë ku një qytetar humbi jetën në Durrës, sekretarja për marrëdhëniet me publikun së degën e Partisë Demokratike në Durrës, Viola Kapidani Kullolli, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Durresi prej vitesh është mësuar të përmbytet nga çdo shi i vogël, por sot tragjedia kaloi çdo kufi: një qytetar humbi jetën pasi ra në kontakt me një shtyllë të amortizuar, që banorët e zonës e kishin denoncuar prej ditësh.
Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, kjo është pasojë e papërgjegjësisë dhe mosveprimit të institucioneve që duhej të siguronin jetën e qytetarëve. Hidrovorët nuk funksionuan, rrugët u mbushën me ujë, dhe Bashkia heshti përballë paralajmërimeve të banorëve.

Qytetarët e Durrësit kanë mësuar të mbijetojnë çdo herë që bie shi, por sot u mor një jetë njeriu. Përgjegjësinë e mbajnë Bashkia dhe strukturat përgjegjëse dhe çdo zyrtar që nuk veproi për të parandaluar këtë tragjedi.
Kur mosveprimi merr jetë, nuk mund të flasim më për përmbytje – kemi të bëjmë me një krim institucional.
Ngushëllime të sinqerta familjarëve për humbjen e njeriut të dashur në këtë mënyrë tragjike!🙏😞”, shkruan Kapidani Kullolli.