Në një intervistë për Fox News, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë me dije se vrasësi i Charlie Kirk është arrestuar. Ai u shpreh se ishte një person pranë autorit që e dorëzoi atë.
Trump u shpreh se autoritetet lokale bënë një punë të mrekullueshme së bashku për të kapur autorin. Presidenti i SHBA-ve, e ka shprehur hapur dëshirën e tij se shpreson që vrasësi i Kirk të marrë dënim me vdekje.
“Kirk ishte një nga njerëzit më të mirë, nuk e meritonte këtë”, tha ai.
Ndër të tjera, Trump u shpreh se Kirk-un e kishte si djalë.
Kush ishte Charlie Kirk?
Charlie Kirk, një nga aktivistët konservatorë të profilit të lartë dhe figurë mediatike e besuar e presidentit Donald Trump, është ndarë nga jeta në moshën 31-vjeçare pasi u qëllua me armë zjarri në një kolegj në Utah.
Kirk ishte i njohur për debatet e tij në kampuse universitare në mbarë vendin, ku shpesh u vinte përballë studentëve tema të nxehta si identiteti transgjinor, ndryshimet klimatike, besimi dhe vlerat familjare.
Në vitin 2012, vetëm 18 vjeç, ai bashkëthemeloi organizatën studentore Turning Point USA (TPUSA), e cila synonte të përhapte idealet konservatore në universitetet amerikane, të perceptuara kryesisht si liberale. Sot, TPUSA ka degë në më shumë se 850 kolegje dhe universitete.
I lindur në një familje të pasur në Prospect Heights, në periferi të Chicago, Kirk ishte djali i një arkitekti.
Ai vendosi t’i përkushtohej tërësisht ndaj aktivizmit politik. Pasi aplikoi pa sukses në akademinë elitare ushtarake Ëest Point, shpesh bënte humor me faktin që nuk kishte një diplomë universitare, ndërsa debatonte për tema të thella si postmodernizmi.
Pas rizgjedhjes së Barack Obama-s në vitin 2012, roli i Kirk në TPUSA mori hov. Ai udhëtoi në gjithë Amerikën duke folur në evente republikane, veçanërisht të preferuara nga lëvizja ultra-konservatore Tea Party.
Një orator i zjarrtë, ai foli edhe në Oxford Union këtë vit dhe në vitin 2020 botoi librin më të shitur The Maga Doctrine. TPUSA luajti një rol vendimtar në mobilizimin e votuesve për Trump dhe republikanët në zgjedhjet e fundit, si një faktor kyç në regjistrimin e dhjetëra mijëra votuesve të rinj dhe në kthimin e Arizonës në favor të Trump.
Kirk mori pjesë në inaugurimin e Trump në Ëashington në janar dhe ishte një vizitor i rregullt i Shtëpisë së Bardhë gjatë të dy mandateve presidenciale. Vetë presidenti e vlerësonte për aftësinë dhe lidhjet e tij me bazën e lëvizjes Make America Great Again.
Ai foli në disa konventa republikane, ndërsa vitin e kaluar Trump e shpërbleu duke mbajtur një fjalim madhor në një konferencë të Turning Point në Arizona. Më herët këtë vit, Kirk udhëtoi me Donald Trump Jr në Groenlandë, teksa Trump ngrinte idenë se SHBA duhet ta zotërojë Arktikun.
Në politikën e tij, Kirk vendoste gjithmonë në qendër besimin e tij të krishterë dhe familjen, ishte i martuar me një ish-Miss, me të cilën ka dy fëmijë. Për shumëkënd, shihej si e ardhmja e aktivizmit konservator, por edhe si një figurë polarizuese.





