Megjithëse vera ka përfunduar, plazhet e vijës bregdetare të Durrësit vijojnë të frekuentohen nga vendasit dhe vizitorët e huaj, për shkak të ditëve të ngrohta të shtatorit.

Por frekuentimi i plazheve nga pushuesit sjell me vete edhe një fenomen negative, ndotjen e tyre nga veprimtaria njerëzore.

Shqetësimi ngrihet nga një frekuentues i plazhit, i cili na ka sjellë edhe një material filmik, që dëshmon pirgjet me mbetje në sipërfaqen e rërës, të cilat janë lënë pikërisht nga ata që kanë frekuentuar plazhin e Sektorit Rinia.

“Përshëndetje ! Kjo ësht gjendja aktuale në Sektor Rinia Durrës! Mirë që bashki dhe qeveri nuk ka po të paktën o popull ato qe hani mos i hidhni ne rërë se po ne do rrim aty ! Nuk ju kushton gjë nje qese me vete!”,- shkruan ai, duke bërë kështu një apel të drejtpërdrejtë për të gjitha adhuruesit e plazhit:

Kur i frekuentoni plazhet, mbeturinat mos i lini në rërë, por minimum hidhini në kazanët përkatës, sepse secili nga ne duhet të kontribuojë për të mbajtur pastër ambientin.