Partia Demokratike Dega Durrës ka reaguar pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi, baba i tre fëmijëve, duke e cilësuar atë një “krim shtetëror dhe institucional”, të shkaktuar nga shpërfillja e institucioneve.

Në deklaratën për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Viola Kapidani, u shpreh se banorët kishin ditë të tëra që kishin denoncuar rrezikun e shtyllës elektrike, por askush nuk mori masa.

Ajo kujtoi se ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, duke përmendur rastin e vitit 2015 kur një 15-vjeçar humbi jetën në të njëjtën mënyrë.

Deklarata e plotë:

Ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin tonë, ku humbi jetën tragjikisht 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi, babai i tre fëmijëve, ka tronditur çdo qytetar të Durrësit. Humbja e jetës së tij nuk është një aksident i rastësishëm. Është një vrasje shtetërore, një krim institucional, i shkaktuar nga shpërfillja dhe papërgjegjshmëria e institucioneve.

Shtyllat elektrike janë pronë e shtetit. Banorët e zonës kishin ditë të tëra që kishin denoncuar rrezikun e shtyllës me qark elektrik. Por asgjë nuk u bë. Kjo tragjedi ndodhi në një kohë kur qytetarët e Durrësit po vuanin pasojat e përmbytjeve, dhe mbi dhimbjen e tyre u shtua edhe kjo humbje e rëndë.

Ky nuk është një rast i izoluar. Në vitin 2015, një adoleshent vetëm 15 vjeç humbi jetën në të njëjtën mënyrë. Historia po përsëritet, viktimat shtohen, por shteti nuk reagon.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë reaguar që në momentin e parë, duke ngritur zërin për këte krim shtetëror. Ky është një denoncim i radhës, sepse për fat të keq kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por një dramë e përsëritur që tregon qartë degradimin institucional.

Ndërkohë, deri në këtë moment, nuk kemi parë asnjë reagim nga Bashkia Durrës, kryetarja Emirjana Sako, apo OSHEE. Heshtja e tyre është tregues i qartë i papërgjegjshmërisë dhe i bashkëfajësisë institucionale.

Partia Demokratike Dega Durrës i bën thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet. Përgjegjësia politike bie mbi kryeministrin Edi Rama, ministren Belinda Balluku dhe kryetaren e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako. Askush nuk mund të fshihet pas heshtjes.

Ne kërkojmë drejtësi për Bardhyl Kaloshin dhe familjen e tij. Kjo tragjedi nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi. Jeta e qytetarëve nuk mund të jetë më viktimë e paaftësisë dhe shpërfilljes së shtetit.