Prokuroria Fier ka dhënë masa sigurie “Detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore për 10 zyrtarë të DRSHTRR-Fier.
Sipas dosjes së Prokurorisë, zyrtarët e DRSHTRR-së dyshohet se kanë nxjerrë kalues në kontrollin teknik të automjeteve, makina me defekte teknike që përbëjnë rrezik për qarkullimin rrugor.
Në kuadër të hetimeve filluar mbi bazën e materialeve të referuara nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasit A.M, S.K, M.G., E.S., J.V, L.M. dhe E.Sh., punonjës të Qendrës së Kontrollit Teknik, pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, Fier, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si specialistë të kontrollit teknik, me veprime dhe mosveprime, kanë nxjerrë kalues në kontrollin teknik automjete me defekte teknike që përbëjnë rrezik për qarkullimin rrugor, që përmbajnë elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në rrethanën rënduese “më shumë se një herë”.
Po ashtu, ka dyshime se personat nën hetim D.H. dhe J,.Q., në bashkëpunim me njeri-tjetrin i kanë dhënë shumën prej 2000 (dymijë) Lek punonjësve të DRSHTR, Fier, për të nxjerrë kalues në kontrollin teknik automjetin e shtetasit nën hetim J.Q., që përmbajnë elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Nga hetimi, gjithashtu ka rezultuar se shtetasi nën hetim D.N., gjatë një komunikimi telefonik i ka ofruar përfitim të parregullt me vlerë të pacaktuar, shtetasit nën hetim J.V, punonjës i Qendrës së Kontrollit Teknik, në DRSHTRR, Fier, për procedurën e kalimit të kontrollit teknik të një mjeti. Shtetasi nën hetim J.V. e ka kaluar mjetin dhe nuk e ka kallëzuar këtë krim në organet e ndjekjes penale”, bën me dije Prokuroria Fier.
Në kuadër të kësaj çështje penal, është kërkuar masë sigurimi dhe u caktua masa e sigurimit për dhjetë persona nën hetim, si më poshtë:
Caktimin e masave të sigurimit “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore ” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në ngarkim të personave nën hetim A.M., S.K., E.S, M.G, L.M. dhe E.Sh., sit ë dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer më shumë se një herë.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore ”, në ngarkim të personit nën hetim J.V., dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer më shumë se një herë, si dhe veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në ngarkim të personave nën hetim D.H. dhe J.Q, dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në ngarkim të personit nën hetim D.N., dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.





