Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu. Në seancën e sotme GJKKO vendosi që Fetahut t’i ndryshohet masa e sigurisë nga arrest me burg në ‘arrest shtëpie’.
Vendimi për ndryshim masë është marrë nga gjyqtari i GJKKO-së Erjon Çela. Ndërkohë që një ditë më parë Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-gjyqtares për ndryshimin e masës së sigurisë.
Operacioni i SPAK
Në fund të vitit 2024 SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës, duke lëshuar 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. Prokuroria e Posaçme tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas SPAK me paratë e fituara nga trafiku, banda e Çelës ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit. Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.
Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.





