E moshuara grabitet në mes të rrugës në qytetin e Korçës. Autori i dyshuar është identifikuar dhe kapur një ditë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 12, teksa iu gjetën pas kontrollit kokainë dhe një përforcues grushti.
Sipas dinamikës së ngjarjes dhe dëshmisë së 82-vjeçares, ajo është sulmuar teksa ecte në rrugë, ku autori i dyshuar 41-vjeçar, E.R., ia ka shkulur me forcë varësen e floririt nga qafa dhe është larguar me vrap.
“Specialistët e Sektorit të Narkotikëve kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. R., 41 vjeç, banues në Korçë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, dje, në lagjen nr.12, i ka vjedhur një 82-vjeçareje, varësen e floririt që mbante në qafë. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, atij iu gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe një përforcues grushti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, tha policia vendore.
Prokuroria po ndjek hetimet e mëtejshme, për të zbuluar ngjarje të tjera ku i dyshuari mund të jetë përfshirë.





