Olta Xhaçka, e rizgjedhur deputete në Parlament nga zgjedhjet e 11 majit, nuk i ka përfunduar ende telashet me drejtësinë. Kjo vjen, pasi Gjykata e Lartë ka caktuar datën 21 tetor për shqyrtimin e rekursit të bërë nga eurodeputeti Fred Beleri, përmes të cilit kërkon detyrimin e Prokurorisë së Posaçme të nisë hetimet ndaj ish-ministres së Mbrojtjes dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi.

Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, e denoncoi çiftin Xhaçka–Gaçi si dhe ish-kryebashkiakun Jorgo Goro, teksa ndodhej në paraburgim për shitblerje votash. Beleri i akuzonte ata për disa vepra penale, lidhur me tjetërsimin e sipërfaqeve të mëdha të pronave në Gjilekë, ku kompania e ish-deputetit socialist ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Mbi bazën e kallëzimit të Belerit, SPAK arrestoi Goron dhe më pas e mori të pandehur për shpërdorim detyrë në dy raste. Goro u akuzua nga SPAK se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës Shtetërore, përmes dokumenteve të falsifikuara mundësoi kalimin e dy sipërfaqeve tokë-shtet në Himarë në pronësi të privatëve dhe në finale u kalua në favor të shoqërisë së Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste.