Këshilli Bashkiak i ka kthyer përgjigje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi të jetë i pranishëm në mbledhjen për shkarkimin e tij.
“Në rast pamundësie për të qenë prezent, ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak”, thuhet në përgjigjen për kryebashkiakun Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt.
Letra e plotë:
“I nderuar Kryetar,
Në vijim të kërkesës tuaj për t’u njohur, për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur dhe për të dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, Ju bëj me dije së mbledhja e Këshillit zhvillohet ditën e martë, datë 23.09.2025 ora 16:00.
Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje.”
Deri më tani në Prokurori nuk ka pasur një kërkesë nga ana e Erion Veliajt për të marrë pjesë në mbledhje që zhvillohet ditën e nesërme (23 Shtator).
Shkresa e Erion Veliajt:
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë kërkesë, më 19 Shtator, për të qenë i pranishëm në Këshillin Bashkiak, që do të mblidhet për shkarkimin e tij nga posti.
Erion Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm për një proces të rregullt ligjor. Në një letër drejtuar kryetares dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Veliaj shprehet se mungesa e tij në detyrë nuk është vullnetare, por pasojë e një “masë sigurie disproporcionale”, e cila, sipas tij, ka krijuar një krizë institucionale dhe kushtetuese në kryeqytet.
“Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës”, shkruan Veliaj në letrën e tij.
Ai thekson se masa e sigurimit personal nuk përbën një vendim përfundimtar fajësie dhe se shkarkimi i tij në këtë fazë do të përbënte një tjetër shkelje të Kushtetutës nga pushteti vendor.
“Mungesa e imponuar nga një masë paraprake nuk është mungesë e vullnetshme, por një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore”, shton ai.
“Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar. Por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre”, shkruan Veliaj ndër të tjera.
Në fund të letrës, Veliaj kërkon që t’i garantohet e drejta për të qenë i pranishëm dhe për t’u dëgjuar në mbledhjen e 23 shtatorit, duke e konsideruar këtë një të drejtë kushtetuese në kuadër të procesit të rregullt ligjor.





