Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një dalje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se opozita duhet të sjellë emrat për Komisionet Parlamentare.

Ai tha se kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi duhet të ishte prezent në mbledhjen e sotme, pasi ishte përjashtuar vetëm nga seancat plenare.

“7 kryetar dhe 7 nënkryetar i takojnë opozitës. Emrat duhet të kenë ardhur, pasi duhet të kalojnë në Konferencë të Kryetarëve. Në rast se nuk i sjellin, në aspektin procedural komisioni quhet i konstituar, kur shumica është prezent. Mbledhja mund të iniciohet me ¼ e firmave të anëtarëve. Kemi pasur një diskutim sot në seancë. Nga ana e Gjekmarkajt, u ngrit shqetësimin se pse nuk ishte prezent kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Bardhi. Ai u përjashtua nga seancat plenare, por jo nga Konferenca e Kryetarëve. Ai nuk mund të përjashtohet nga mbledhjet e komisioneve, pasi kështu i kemi dhënë fund dhe hyrjeve nga dritarja.”, tha ai.

Teksa komentoi seancën plenare ku për 25 minuta u miratua pa debat programi i ri qeverisës, Balla tha; “Sjellja e maxhorancës është e bazuar në rregullore. Më 17 shtator kemi pasur një seancë të Konferencës së Kryetarëve ku kemi diskutuar për modalitetet. Neni 110 i rregullores së Kuvendit përcakton qartë, pasi s’ke hapësirë për t’iu shmangur detyrimeve. Është kërkuar që në shmangie të nenit 110 që kryetari i grupit të flasin ë të njëjtën kohë sa kryeministri. Të vetmen çështje që kam ngritur, është që të respektohet solemniteti i seancës.”, tha ai.