Nisja e sezonit të vjeshtës ka sjellë një valë të re turistësh në qytetin e Durrësit. Nëpër monumentet historike dhe rrugët e qytetit ndeshesh çdo ditë me grupe të organizuara, por edhe turistë individualë nga vende të Evropës, por edhe kontinente të largëta si Amerika, Azia apo Australia.

Vitin e fundit, vendi ynë është kthyer në një destinacion shumë të preferuar edhe nga turistët nga Holanda dhe Belgjika, shifrat e të cilëve kanë regjistruar një rritje të konsiderueshme.

“Kemi një rritje me 30% vetëm në vitin e fundit. Kjo vjen për shkak se Shqipëria  është një vend që po zhvillohet dhe ka shumë për të treguar histori, kulturë, tradita, por edhe natyrë, plazhe, ushqim të mirë dhe klimë mesdhetare. Kombinimi i të gjithë këtyre elementëve të ndryshëm e kthejnë Shqipërinë në destinacion mjaft të kërkuar, sepse edhe raporti çmim dhe cilësi shërbimi është mjaft i leverdisshëm për turistët”,- bën të ditur për “DurrësLajm”, Trajce Kocirov, nga agjencia turistike KTM Voyage.  

Në sytë e turistëve nga vendet e ulta, Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër, që po përparon me hapa të mëdhenj.

“Ka shumë për të parë dhe është një vend që po zhvillohet shumë shpejt. Më shumë njohim historinë gjatë regjimit komunist, sepse kemi dëgjuar histori të tmerrshme për ato vite”.

“Ju jeni njerëz shumë miqësorë dhe keni klimë shumë të mirë”.

“Ju po ktheheni në një vend modern, që synon të bëhet pjesë e BE-së. Për këtë arsye po transformoheni në një vend të modernizuar.”

Sitet dhe monumentet e trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar mbeten një atraksion turistik, që nuk mund t’u shpëtojë vëmendjes së të huajve. Në këto 8 muaj të parë të këtij viti është regjistruar një rritje e ndjeshme e vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Ka një rritje shumë të ndjeshme të numrit të vizitorëve në sitet arkeologjike si në Torrën Veneciane dhe në Amfiteatër, ku regjistrohet një rritje me 45% po të krahasojmë këtë vit me vitin 2024. Gjithashtu reflektohet një rritje edhe në kala dhe monumente të tjera që në krahasim me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë që po flasim shënon një rritje me 30%. Shikojmë që çdo vit rritet gama e vendeve të origjinës të turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë qytetin tonë”,- bën të ditur Floreta Kërtusha, përfaqësuesja e Drejtorisë së Turizmit në bashki.

Ndryshe nga vite më parë, kur sezoni turistik në Durrës përfundonte në fund të muajit gusht, tashmë vjeshta regjistron flukse turistike të reja. Por jo domosdoshmërisht këto shifra në rritje ndikojnë në ekonominë e bizneseve të vogla në qytet.

“Muaji gusht ka qenë shumë i vështirë, ndërsa muaji shtator duket më i volitshëm. Janë shumë agjenci të ndryshme ndërkombëtare, që veprojnë përmes guidave të tyre dhe agjencive turistike. Shumë pak kuptohet impakti ekonomik për qytetin”,– thotë guida turistike, Artan Kacani.

Kur po i drejtohemi fundit të muajit shtator, ende nuk kemi shifra zyrtare përsa i përket numrit të përgjithshëm të turistëve të huaj që kanë vizituar qytetin bregdetar përgjatë këtyre muajve të vitit 2025.

M.B.