Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u takua këtë të mërkurë në godinën e Bashkisë me pasardhësin e tij, Elis Halili, të cilin e uroi për marrjen e detyrës.
Në postimin e tij në Facebook, Dredha shprehu besim të plotë në kapacitetin e Halilit dhe ekipit të tij.
“Me bindjen dhe besimin që do të bëjë më të mirën për qytetin, i uroj Elisit dhe gjithë ekipit, punë të mbarë në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Vlorës së bukur!”, ka shkruar Ermal Dredha krahas fotove me kryebashkiakun e ri të Vlorës.
Elis Halili u emërua kryetar i komanduar i Bashkisë së Vlorës, pas dorëheqjes së Dredhës.
Ai është inxhinier me përvojë në projekte lokale dhe më parë ka shërbyer si një nga nënkryetarët e Bashkisë.
Kujtojmë se Ermal Dredha dha dorëheqjen nga drejtimi i bashkisë Vlorë më 10 shtator të këtij viti.
Në një prononcim për mediat ish-kryebashkiaku i Vlorës u shpreh dy javë më parë: “Ka kohë që e mendoj. Dashuria për Vlorën nuk shteret. Jam djalë Vlore dhe do të vijoj të kontribuoj për të. Jam i sigurt që do të ketë një ekip shumë të mirë për të çuar përpara Vlorën. Do ta mbështes sa të mundem ekipin që do të krijohet. Socialist kam lindur dhe i tillë do mbetem”.





