Nga Gjermania në bregdetin e Shëngjinit për të shitur lëndë narkotike, arrestohen 4 turistët.

Policia e Lezhës njoftoi sot se ka finalizuar goditjen e një grupi të shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht kanabis sativa, në doza.

“Për këtë rast u arrestuan shtetasit gjermanë: L. H., 28 vjeç, L. S., 25 vjeç, S. H., 27 vjeç, dhe M. R., 23 vjeç, banues në Gjermani. Ata u konstatuan nga shërbimet e Policisë Kufitare, në Shëngjin, pranë një automjeti tip “Dacia”, në të cilin u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza”, tha policia vendore.

Operacioni u realizua nga Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Dacia”, u sekuestrua sasia e narkotikëve dhe mjeti që ata përdornin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.