E ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani. Takimi është zhvilluar një ditë më parë, por Ambasada Amerikane ka publikuar detaje ditën e sotme ku thuhet se VanHorn dhe Bogdani diskutuan mbi ngjarjet e rëndësishme që do të zhvillohen në Këshill.

“Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona.”, thuhet më tej në njoftimin e ambasadës.

Para disa ditësh VanHorn u takua me kryeprokurorin aktual të Posaçëm të SPAK-ut, Altin Dumanin, me të cilin diskutoi për luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikun e drogës. Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi takimet e fundit të Dumanit në Uashington me zyrtarë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë.