Do të hyjmë në fushë për të fituar, kështu e ka nisur konferencën për shtyp trajneri i Teutës Enkelejd Dobi përpara sfidës ndaj Elbasani në transfertë.

Kjo është një ndeshje mjaft e rëndësishme për durrsakët. Elbasani-Teuta është ndeshja më interesante e kësaj jave pasi do të vihen përballë dy skuadra që nuk kanë asnjë humbje deri tani këtë sezon. Midis të tjerash Dobi u shpreh: “Mentaliteti ynë, dëshira, vullneti dhe angazhimi janë që të hysh në ndeshje dhe të fitosh pastaj gjithçka i mbetet fushës së lojës. Ndeshja ndaj Elbasanit është jashtëzakonisht e vështirë ashtu si çdo ndeshje tjetër. Rivaliteti këtë kampionat është i madh sepse ekipet nuk kanë shumë diferenca nga njëri tjetri. Ne respektojmë kundërshtarin por ne fokusohemi tek puna jonë dhe vazhdimësia ndaj hyjmë në fushë me objektiva të qarta për tre pikët.” Më tej Dobi kishte një apel edhe për tifozerinë durrsake:

“Kur ke një tifozeri që të mbështet motivimi i lojtarëve shtohet akoma më shumë. Mbështetja e tifozerisë na detyron të japim më shumë se 100 % në fushë, të luajmë edhe me më shumë energji dhe të japim maksimumin.” Ndeshja Elbasani – Teuta do të luhet të shtunën në orën 19.00 në Elbasan Arena.