Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë.
Mësohet se biznesmeni 44-vjeçar kishte dalë për gjah.
44-vjeçari prej 25 vitesh jeton në Laprakë, Tiranë, dhe është ortak në një fabrikë tullash.
Policia ka shoqëruar në komisariat personat që kanë qenë me të.
Ata po merren në pyetje në lidhje me këtë vrasje, për të zbuluar më tepër detaje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Salari të Tepelenë. Sarchi ndodhej në zonën mes fshatrave Nivicë dhe Salari, së bashku me disa persona të tjerë.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale.
Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.
“Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.





