Kthimi i vendit tonë në një nga destinacionet më interesante turistike jo vetëm për shtetasit evropianë, por edhe më gjerë është një fakt i njohur përgjatë viteve të fundit.

Sfida më e madhe e operatorëve turistikë, përveç rritjes së shifrave të të huajve që vijnë të kalojnë këtu pushimet, është rikthimi i tyre sërish në vendin e shqiponjave.

Në Durrës, për shkak të shërbimit brenda të gjitha normave evropiane, raportit mjaft të drejtë cilësi-çmim, mikpritjes etj duket se kjo sfidë nuk është aspak e pamundur. Këtë na e pohojnë vetë të huajt, që ndodhen për pushime në kryeqytetin shqiptar të turizmit.

“Këtu çdo gjë është fantastike, ju jeni njerëz shumë mikpritës. Edhe ushqimi, sidomos produktet e detit janë shumë të mirë, sepse unë vij nga një qytet kinez që është afër oqeanit dhe më pëlqejnë shumë. Ju keni panorama natyrore shumë të bukura, jeni një vend i këndshëm. Patjetër që do të rikthehem.”

“Qëndruam 3 ditë, është shumë bukur këtu. Pamë amfiteatrin, xhaminë, plazhi ishte shumë i bukur”.

“Më pëlqen shumë vendi juaj, vija bregdetare, por edhe njerëzit. Është një destinacion i këndshëm për francezët dhe vitin e ardhshëm do të vi sërish. Do të vijmë me mjetet tona nga Franca deri këtu”.

Për shtetasit kinezë, sidomos për ata mbi 50 vjeç, Shqipëria nuk është një vend i panjohur, kjo për shkak të marrëdhënieve  të forta që regjimi i Enver Hoxhës pati vendosur me Kinën e drejtuar nga Mao Ce Dun-i. Por duket se këto vite, pak është bërë për ta prezantuar Shqipërinë që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, në tregun kinez.

“Ne kemi një histori të gjatë me vendin tuaj, Shqipëria është shumë e njohur në Kinë. Kur ishim të vegjël ne e njihnim këtë vend. Dhe tani kemi mundësinë të vijmë këtu dhe të shohim sa e bukur është Shqipëria”.

Në 2 vitet e fundit, qyteti bregdetar po tenton të kthehet në një destinacion gjithëvjetor turistik. Zgjatja e sezonit nga prilli në tetor i shërben pikërisht këtij objektivi, por mbetet ende punë për të bërë nga autoritetet për të vënë në funksion të turizmit gjithë potencialin e trashëgimisë kulturore që Durrësi 3000-vjeçar disponon.

M.B.