Enkeleida Jorgollari vjen në një ekspozitë për Durrësin, qytetin nga ku është larguar 20 vite më parë, të cilin jo vetëm që nuk e ka harruar, por e ka muzë të frymëzimit të saj artistik. Artistja sjell në galerinë “Nikolet Vasia” krijimet e saj më të fundit, në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur dy javë.
Enkeleida Jorgollari, vajza që u rrit në shkollën artistike të qytetit bregdetar, ka gjetur pikërisht momentin e rikthimit në qytet për të sjellë këtë ekspozitë, me shpresën për të ngritur sado pak humorin dhe krijuar momente artistike të bukura për bashkëqytetarët e saj, pas ngjarjeve të vështira me të cilat po përballemi.
“Pas vështirësive të kaluara, jam përpjekur që t’ia ngrej sadpoak gjendjen shpirtërore publikut, të kënaqet duke parë ngjyra, shkëlqim dhe shpresë”, shprehet Enkeleida.
40 vepra në pikturë, grafikë e akuarel, janë pjesë e kësaj ekspozite, të cilën autorja ka punuar plot një vit për t’i përcjellë përmes emocioneve të forta, në kompozime shpërthyese, por dhe ngjyra të qeta nëpërmjet peizazheve.
“Punimet janë kryesisht në vaj, por edhe bardhezi. Më pëlqen jashtë mase bardhezi, sepse shpreh fuqinë e shpirtit tim, aty unë shpërthej”, thotë artistja durrsake.
Megjithëse punon dhe jeton prej vitesh në Greqi, Enkeleida mundësoi këtë vit të hapte ekspozitën e tretë në qytetin e saj, ndërsa përpiqet që të gjejë veten artistikisht edhe në vendin helen, ku është prezantuar me publikun me dy ekspozita; një personale dhe një të përbashkët.