Teuta e këtij sezoni ishte ndër më të mirat e viteve të fundit, ku spikatën disa lojtarë të rinj, por u konfirmuan edhe disa individë me eksperiencë.
Florent Avdyli ishte padyshim mes më të mirëve të mesfushës, jo vetëm të skuadrës durrsake, por edhe gjithë Kategorisë Superiore.
Gjithsesi, nga Kosova njoftojnë se mesfushori i qendrës dëshiron të kthehet në futbollin dardan. 27-vjeçari nga Prishtina është në bisedime të avancuara me skuadrën e Feronikelit.
Klubi nga Drenasi ka në plan të ndërtojë një skuadër të aftë për të provuar titullin dhe merkaton e ka përqendruar në Kategorinë Superiore.
Pasi siguruan shërbimet e Bedri Grecës dhe Ilir Avdylit, mesfushori i Teutës pritet të jetë transferimi i radhës për bardhejeshilët.
Drejtuesit e klubit nga Kosova dhe Avdyli kanë zhvilluar disa takime dhe kanë mbetur disa detaje, që pritet të zgjidhen në vijim të tratativave.
Marrëveshja mes palëve mund të mbyllet brenda kësaj jave. Kontrata e Avdylit me Teutën ka përfunduar, megjithëse ai pritet të qëndrojë te durrsakët deri në përfundim të ndeshjeve të Europa League.
Më pas ai do e lërë Durrësin pas dy vitesh, për tu kthyer në Kosovë ku ka luajtur me Hajvalinë, Fushë Kosovën, Feronikelin, Trepçën dhe Lirinë.
Avdyli këtë sezon te Teuta ishte titullar i padiskutueshëm. Ai luajti në 31 ndeshje dhe mundi të asistojë tre herë dhe të shënojë po aq gola.





