Sot, më 4 tetor 2025, në sheshin “Liria” të Durrësit, u organizua një aktivitet në kuadër të Ditës Botërore të Kafshëve, i cili bashkoi organizata, biznese dhe qytetarë me një qëllim të përbashkët, dërgimin e një mesazhi solidariteti për kafshët dhe nxitjen e bashkëpunimit për projekte të sterilizimit/kastrimit.

Në shesh u vendosën stenda informuese nga organizatat dhe nismat e mbrojtjes së kafshëve, si dhe përfaqësues të dyqaneve PetShop, të cilët prezantuan shërbimet dhe kontributin e tyre në kujdesin për kafshët.

Themeluesja e organizatës JETA Kafshët dhe Njerëzit, Jenny Müller, mbajti një fjalë frymëzuese mbi situatën e kafshëve endacake në Durrës dhe nevojën për bashkërendim institucional dhe projekte afatgjata për parandalimin e shtimit së kafshëve, duke u kthyer në një thirrje të përbashkët për një qytet më të përgjegjshëm dhe miqësor ndaj kafshëve.

Edhe një anëtare e organizatës, i bëri apel qytetarëve të Durrësit t’ju bashkohen në këtë mision për të ulur sa më shumë numrin e kafshëve të braktisura.

“Quhem Molly dhe jam irlandeze. Jetoj prej 4 vitesh në Shqipëri dhe punoj për organizatën JETA Tier und Mensch (JETA, kafshët dhe njerëzit).Ne punojmë për të reduktuar numrin e kafshëve që jetojnë në rrugët e qytetit të Durrësit. Gjithashtu administrojmë edhe një qendër ku strehohen katër putroshët që nuk mund të jetojnë në rrugë. Njerëz nga vende të ndryshme të botës paguajnë shuma mujore për t’u siguruar ushqim këtyre kafshëve, por edhe medikamentet. Sot jemi këtu që të angazhojmë komunitetin e Durrësit në projektin tonë, sepse nuk mund ta bëjmë këtë punë vetëm. Ne jemi një ekip i vogël dhe kërkojmë angazhimin tuaj që të kuptojmë sa qen jetojnë në rrugë, ku jetojnë etj. Ju lutem bashkojuni apelit tonë”,– tha ajo..