Teuta arriti një triumf me përmbysje spek takolare ndaj Kukësit me rezultatin 2-1, duke siguruar një biletë për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Deri në minutën e 73-të durrsakët e shikonin veten në disavantazh, ndërkohë që talenti Kapllani dhe mbrojtësi Hoxha ishin heronjtë që përmbysën rezultatin.Kapiteni i Teutës, Renato Arapi, shprehet se skuadra besoi deri në fund, por e thekson se kishin dhe fatin në krahun e tyre. I pyetur se Tirana kërkon të dy trofetë, Arapi shprehet se: “Nuk është se na intereson shumë se çfarë do të bëjë Tirana”. Atij i intereson ekipi i Teutës. Mbrojtësi ka vlerësim mjaft të mirë për Partizanin, por i sfidon hapur se skuadra e tij do të fitojë.
Teuta zyrtarisht në finale. Besuat vërtet te përmbysja?
Përderisa arritëm të kthenim rezultatin dhe nuk e ulëm vigjilencën deri në fund, sigurisht qe kemi besuar. Patjetër që edhe fati ishte në krahun tonë.
Çfarë ndryshoi nga kampionati në Kupë, që ditët të reagonit?
Unë gjithmonë e them që çdo ndeshje është histori më vete. Te ndeshja e kampionatit, faktikisht ndikuan shumë gjëra: lodhja, lojtarë që nuk ishin në 100%, por edhe përgatitja e ndeshjes për Kupë ishte ndryshe sigurisht.
Do të jetë një finale shekullore, pasi përballë është edhe Tirana, që gjithashtu feston 100-vjetorin…
Faktet tregojnë që në 4 përballje në finale, Tirana ka fituar dy herë dhe Teuta dy herë. Shpresojmë që këtë radhë fitorja dhe fati të jenë sërish në krahun tonë, paçka se do të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë dhe kontingjentin e ekipit të Tiranës.
Tirana do “bis” e ju një trofe, kush do të dalë fitimtare me 2 gusht?
Nuk është se na intereson shumë se çfarë do të bëjë Tirana. Neve na intereson më shumë se çfarë do të bëjmë ne, për të arritur që të fitojmë atë kupë që të gjithë kanë vite që e presin.
Safet Gjici shfaqi ankesa për gjykimin. A ka të drejtë dhe a i patë rastet e moviolës, sepse goli i parë vinte nga faulli?
Nuk dua të merrem fare me deklaratën e presidentit Gjici. Aq më tepër me moviolat e golave. Janë të tjerë ata që merren dhe analizojnë këto gjëra.
Çfarë do të sakrifikonte Arapi për të marrë një trofe këtë sezon?
Nuk e di se çfarë doni të nënkuptoni me këtë, por dhe në këtë moment që po flasim, ne si ekip jemi duke sakrifikuar gjithçka për të arritur ato objektiva që i kemi vënë vetes sonë.
Keni shanse për të zënë një vend të sigurt në Europë nga Kupa. Po me kampionatin ç’do të bëhet?
Tani të gjithë forcat tona do të përqendrohen te kampionati që të sigurojmë sa më parë pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe të shkojmë në finale të qetë dhe ta shijojmë në maksimum.
Këtë javë prisni Partizanin, ish-ekipin tuaj, si e parashikoni si ndeshje?
Sigurisht që kam një vlerësim të veçantë për ekipin e Partizanit, sepse për atë periudhë të shkurtër që isha, jam ndier i vlerësuar. Partizani vjen me mungesa, por edhe ne do të kemi mungesa plus. Edhe lodhja, për hir të së vërtetës, është e dukshme, por kjo s’do të na ndalojë që këtë ndeshje ta shikojmë si “finale” dhe t’i marrim maksimumin, që pjesëmarrjen në kupat e Europës ta sigurojmë sa më shpejt.
Çfarë ju tha presidenca pas kualifikimit?
Sigurisht që na uruan për fitoren dhe ishin shumë të entuziazmuar, por akoma s’ka mbaruar asgjë. Shpresojmë që t’i bëjmë një dhuratë presidencës, vetes sonë dhe të gjithë qytetit të Durrësit një trofe.





