Gjatë meshës për Jubileun e emigrantëve dhe misionarëve të zhvilluar këtë të dielë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Leoni XIV bëri një thirrje të fuqishme për mbrojtjen e dinjitetit të migrantëve, duke theksuar se askush nuk duhet të detyrohet të largohet nga vendi i vet dhe të vuajë për shkak të kushteve të vështira apo sepse është i huaj.
“Në radhë të parë, gjithmonë duhet të jetë dinjiteti njerëzor“, u shpreh Papa gjatë lutjes së Engjëllit. “Jeni gjithmonë të mirëpritur! Uroj që në rrugëtimin tuaj të gjeni fytyrën e Zotit përmes misionarëve dhe misionareve që do të takoni”.
Papa foli për vuajtjet që përjetojnë migrantët gjatë ikjes nga dhuna, pasiguria dhe varfëria, duke përmendur udhëtimet e rrezikshme në det dhe dëshpërimin që i shoqëron.
“Anijet që kërkojnë një port të sigurt dhe sytë plot ankth që kërkojnë një tokë ku të mbërrijnë, nuk duhet të përballen me ftohtësinë e indiferencës apo diskriminimin“, theksoi ai.
Pas meshës, Papa përshkoi sheshin Shën Pjetër dhe Via della Conciliazione me xhipin e bardhë të hapur, ku përshëndeti dhe bekoi qindra besimtarë, mes tyre shumë fëmijë.
Në fjalën e tij, Papa kujtoi se shumë misionarë dhe njerëz me vullnet të mirë po ndihmojnë emigrantët në zonat e prekura nga lufta, padrejtësia dhe varfëria. Ai theksoi se shërbimi ndaj migrantëve duhet të shoqërohet me ndërtimin e një kulture të re vëllazërie, përtej paragjykimeve dhe stereotipeve.
“Thirrja e atyre që vuajnë nuk është thjesht dhimbje, por edhe një lutje që prek të gjithë ne”, tha ai.
Papa: Sot fillon një epokë e re misionare
Papa Leoni XIV deklaroi se po nis një epokë e re për Kishën, ku misioni nuk është më vetëm të shkosh në vende të largëta, por të qëndrosh aty ku je për të ofruar mikpritje, dhembshuri dhe solidaritet ndaj atyre që kanë nevojë.
“Sot nuk kemi më nevojë vetëm të ‘shkojmë’, por të qëndrojmë dhe të mirëpresim. Të hapim krahët dhe zemrën për ata që vijnë nga vende të shkatërruara. Të jemi për ta shenjë shprese dhe ngushëllimi”, përfundoi Papa.





