Shoqërohet nga policia xhaxhai i Elvis Shkambit, i cili kërcënoi se kushdo gjyqtar që dënon nipin e tij për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, do të vritet.

Në një komunikim për mediat, Gjovalin Shkambi deklaroi gjatë ditës së sotme:

“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.

I pyetur nëse janë të penduar për krimin, ai tha: “Familjes së të ndjerit gjyqtar i kërkoj hallallin me kishë e xhami”.

Ai u shpreh se nuk i druhet hakmarrjes, duke kërcënuar sërish se “do ti hanë plumbat sic i hëngri Astrit Kalaja”.