Dëshmia e Ervis Kurtajt para policisë është zbardhur ditën e sotme. Mësohet se Kurtaj ka treguar se autori i vrasjës së gjyqtarit Astrit Kalaja, e ka kryer veprimin menjëherë sa është dhënë vendimi. Po ashtu Kurtaj ka deklaruar se në momentin që ai me babain po dilte nga salla, Elvis Shkambi është kthyer nga ata duke i qëlluar.

“Në atë moment, Elvisi u ngrit nga vendi dhe i’u afrua gjyqtarit duke qëlluar disa herë me armë zjarri. Sapo dëgjova të shtënat, kapa babin nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Kur po kalonim derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh,” tha Kurtaj.

Si ndodhi ngjarja e rëndë ?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.