Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shpallur fitore në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në tri komuna: Istog, Lipjan dhe Junik, ndërsa pretendon një tjetër fitore të mundshme që në raundin e parë edhe në Pejë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media të mbajtur pas përfundimit të procesit të votimit, tha se këto rezultate konfirmojnë kthimin e fuqishëm të partisë në skenën politike lokale.

“Urojmë fituesin e garës kryesore, Përparim Ramën. Pas 12 vjetësh, në Prishtinë për herë të parë LDK është e para edhe për kryetar, edhe për kuvend komunal,” deklaroi Abdixhiku, duke përshëndetur rezultatin e kandidatit të partisë në kryeqytet.

Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të 48.88 për qind të votave të numëruara në Prishtinë, kandidati i LDK-së Përparim Rama ka fituar 34.21 për qind, ndërsa do të përballet në balotazh me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka marrë 33.21 për qind.

Rama falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen, duke u zotuar për një fushatë dinjitoze drejt raundit të dytë.

Rezultatet në komunat ku LDK ka shpallur fitoren:

  • Junik: Numërimi ka përfunduar dhe kandidati i LDK-së Ruzhdi Shehu ka fituar me 47.91 për qind të votave.
  • Istog: Me 76.67 për qind të votave të numëruara, Ilir Ferati i LDK-së ka siguruar një rezultat bindës me 59.40 për qind.
  • Lipjan: Rezultatet pritet të konfirmohen zyrtarisht, por LDK ka shpallur fitoren edhe në këtë komunë.