Mauricio Sarri nuk u prit aspak mirë pas zyrtarizimit nga ana e klubit, duke u nisur nga thumbimet dhe deklaratat e forta që 61- vjeçari kishte lëshuar ndaj bardhezinjve, në periudhën kur stërviste Napolin, por pas një pauze, e shtyrë edhe nga rikthimi i Juventusit në vend të parë, tashmë sulmet kanë rifilluar.

Në rrjetet sociale, sidomos pas kësaj minikrize aktuale, ku Juvja nuk fiton prej 3 ndeshjesh, janë mijëra tifozë që kërkojnë shkarkimin e trajnerit aktual, duke qenë se përveç spektaklit me pikatore që ka ofruar, e cila ishte edhe kartëvizita kryesore e Sarrit, tashmë po mungojnë edhe rezultatet, duke rrezikuar që lufta e titullit të rihapet papritur në pesë javët e fundit.

Gjithsesi, Mauricio Sarri përveçse mund të mbrohet me të pasurit një distancë sigurie nga ndjekësja më e afërt, një tjetër “kartë” në favor të tij janë statistikat e dy paraardhësve të tij, Antonio Konte dhe Masimiliano Alegri, në vitin e parë te Juventusi.

Edhe pse asnjëri prej të dyve nuk kishte në skuadër Cristiano Ronaldon, shifrat thonë se me 77 pikë të grumbulluara në 33 javë kampionat, Sarri ka 6 pikë më shumë sesa Konte në sezonin e parë në Torino dhe 1 më shumë sesa Alegri. Prandaj, nëse dikujt këto shifra nuk i duken bindëse, për momentin i mjaftojnë trajnerit aktual, të cilit i duhen 9 pikë për t’u shpallur matematikisht kampion.