Një skenë e pabesueshme u zhvillua në nivelin e pestë të futbollit finlandez. Sulmuesi brazilian Jonatan Guerreiro, 34 vjeç, u arrestua të dielën nën dyshimin për trukim ndeshjesh, menjëherë pas një ndeshjeje ku ai shënoi shtatë gola.
Sipas raportimeve të ge.globo.com, besohet se Guerreiro ishte i përfshirë në aktivitete të qarqeve të basteve. Guerreiro u bë objekt i një operacioni ku morën pjesë rreth 20 agjentë të Policisë Kombëtare të Finlandës. Ata hynë me forcë në fushë menjëherë pas fishkëllimës së fundit të ndeshjes midis Finnkurd dhe EsPa/Renat, e cila përfundoi 8-1 në favor të Finnkurd, në qytetin e Espoo-s, pranë Helsinkit.
Sipas mediave lokale, një pjesë e madhe e policëve ishte me rroba civile dhe bllokuan të gjitha daljet nga stadiumi. Lojtarët e Finnkurdit u rreshtuan në fushë për verifikime të identitetit, ndërsa ekipi kundërshtar u lejua të largohej pa ndërprerje.
Ndeshja, e fundit e sezonit, përfundoi 8-1, me Guerreiro që shënoi shtatë gola. Pesë prej tyre u shënuan në pjesën e dytë, pasi pjesa e parë kishte përfunduar 2-0 për Finnkurd. Raportimet tregojnë se dy futbollistë të tjerë brazilianë u ndaluan gjithashtu, por u liruan pas kontrollimit të telefonave të tyre celularë.
Guerreiro u mbajt në paraburgim deri të hënën, ndërsa policia konfiskoi telefonin celular dhe dokumentet personale, përfshirë pasaportën e tij. Hetimi nuk kufizohet vetëm në këtë ndeshje. Finnkurd, një klub amator që garon në divizionin e pestë të Finlandës dhe u themelua nga komuniteti lokal kurd, ka qenë nën hetim për të paktën tre vjet.Guerreiro ishte kapiten i ekipit dhe mori detyrën e trajnerit rreth tre javë më parë.
Sulmuesi ka pasur një karrierë modeste në Brazil, ku ka luajtur për klube të vogla pa sukses të dukshëm. Para se t’i bashkohej Finnkurd këtë vit, ai kishte luajtur për Peimari United në Finlandë nga viti 2022 deri në 2023.





