Edi Martini, trajneri i Teutës, e mendon mëse të merituar kualifikimin e ekipit të tij në finalen e Kupës. Ai ka hedhur poshtë deklaratat e dala nga klubi i Kukësit sa i përket ndikimit të gjyqtarit në rezultatin e sfidës. Njëkohësiht, ai ka ngritur pikëpyetje pse ndeshja finale e Kupës do të luhet në “Air Albania”.
“Goditja e dënimit e Kukësit në fund më kujtoi 1-1 me Luftëtarin që po fitonim e na barazuan në fund, Shyqyr Zotit që nuk ndodhi dhe jemi të kënaqur, në maksimum duke pasur parasysh se kemi eliminuar një skuadër si Kukësi që e kam thënë ka lojtarët më të mirë në Shqipëri. Mendoj se po t’i referohemi dy ndeshjeve, e meritonim kualifikimin.
E shihja Europën më parë nga kampionati se edhe tani që jemi në finale nuk është e thënë që e sigurojmë se duhet të fitojmë finalen. Kampionati është primar, duhet ta zgjidhim sa më parë të jetë e mundur që finalja të mos ketë stresin e daljes në Europë, ky është qëllimi ynë.
Stresi ka qenë gjatë javës, jam munduar të mos e përcjell te çunat, kishim pësuar një goditje 3-0 ndaj Kukësit e jam munduar gjatë javës të mbaj qetësinë, të karikoj çunat. Pavarësisht asaj që ndodhi, ana psikologjike ishte kryesorja, kemi punuar gjatë javës dhe kisha bindje në vete se e shihja te çunat dhe merita padiskutim i kalon atyre.
Deklarata e Kukësit? Nëse janë bërë menjëherë pas ndeshjes janë emocionale dhe të kuptueshme. Por sot nëse e shohin ndeshjen me qetësi kuptohet që gjyqtari nuk ka pasur aspak gisht në këtë ndeshje, mendoj se kualifikimi ka qenë i merityuar siç e thashë në harkun e dy ndeshjeve edhe pse Kukësi luajti më mirë në këtë ndeshje të fundit.
Meqë ra fjala, nuk më duket me shumë kuptim që ndeshja të luhet në fushën e Tiranës se ajo ka luajtur në “Air Albania” në pjesën e dytë të sezonit. Është njëlloj sikur finalja të luhet në Durrës në fushën e Teutës. Shpresoj që ata që e kanë caktuar ndeshjen të ndërrojnë mendje për këtë duel.
E ardhmja? As më ka shkuar ndër mend dhe nuk e kam bërë bisedë me drejtuesit, mendoj që të arrij objektivin që kishim për kualifikimin në Europë dhe mundësisht të fitojmë edhe Kupën”, tha Martini.





